Mbetjet në hapësirë mund të shkaktojnë luftë botërore?!

6

Rritja alarmante e bërllokut kozmik që është grumbulluar rreth Tokës mund të shkaktojë kriza politike, por edhe konflikt të armatosur, thonë shkencëtarët.

Mbetjet në hapësirë munden potencialisht të shkaktojnë shpërthimin e një lufte të re botërore, paralajmërojnë ekspertët dhe shpjegojnë se bërlloku nga misionet kozmike mund të paaftësojnë satelitin mbrojtës të ndonjë fuqie, e cila mund të nënkuptohet si shpallje lufte.

Lidhur me këtë temë sot kanë përfunduar diskutimet e ekspertëve botërorë në qytetin gjerman Darmshtat, në konferencën e shtatë evropiane për mbetjet hapësinore.

Akademiku rus Vitalij Adushkin ka paralajmëruar se mbetjet gjithnjë e më të mëdha në hapësirë paraqesin rrezik të veçantë, pasi pronari i satelitit të shkatërruar nuk do të ishte në gjendje që të konstatojë shumë shpejt arsyen e vërtetë të aksidentit.

Shkatërrimi i pa sqaruar i satelitëve mbrojtës do të mund të shpjegohej qoftë me përplasje të pa regjistruara me mbetjet e hapësirës, qoftë me ndonjë sulm armiqësor. Shpesh nuk është lehtë të vërtetohet se kush është në fakt fajtor për dëmin, apo shkatërrimin. Vlerësohet se aktualisht ka më shumë se 20.000 pjesë të mbetjeve të hapësirës në orbitën e Tokës, përfshirë pjesë të vjetra të motorëve, satelitë të “vdekur” dhe mbetje tjera, të cilat janë krijuar në misionet kozmike ose gjatë përplasjeve në kozmos.

Disa vlerësime përmendin edhe shifra prej gjysmë miliard pjesë të tilla, të madhësisë prej një deri në dhjetë centimetra, si dhe një numër të madh të grimcave më të vogla. Por, edhe gjëra shumë të vogla mund të jenë të rrezikshme kur të arrijnë shpejtësinë në orbitë prej 48.000 kilometra në orë dhe atëherë mund të dëmtojnë anijet kozmike, ose satelitët ushtarakë. Agjencia evropiane e hapësirës është duke u përgatitur që të pastrojë mbetjet kozmike, të cilat ndodhen aktualisht rreth Tokës.

Kërko